“Mjaft”: Kriza? Është momenti për reflektim

14/05/2010 08:40

Lëvizja “Mjaft!” ka konstatuar se pjesa më e rëndësishme e institucioneve qeverisëse të vendit kanë reshtur së funksionuari.

“Parlamenti shqiptar, nga ngrehina më e lartë e përfaqësimit të qytetarëve, është shndërruar në një klub privat të mazhorancës qeverisëse. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e institucioneve qeveritare kanë braktisur funksionin e tyre publik dhe janë shndërruar në komitete paszgjedhore që organizojnë antimitingje”, thuhet në deklaratë.

Duke pasur në themel të punës së saj mbikëqyrjen e standardeve demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, lëvizja “Mjaft!” ka vërejtur një rënie drastike të standardit të transparencës nga ekzekutivi.

“Duke marrë parasysh se liderët e dy partive kryesore të vendit arritën të gjejnë dialog para zgjedhjeve, ne besuam se diçka e tillë do të ishte mundësuar edhe pas tyre. Por sot, pas 9 muajsh paralizë, është e domosdoshme të reagohet dhe tani është momenti që të ketë një reflektim të vërtetë dhe rrugëdalje reale për krizën që ka pllakosur vendin”, vijon deklarata.

Top Channel