Rama, kokë më kokë me Withers

12/05/2010 20:30

Pritjet janë një rast i mirë për të bërë politikë. Por jo në këtë këtu. Me përjashtim ndoshta të liderit të opozitës Edi Rama, i cili pasi mbërriti, ndaloi direkt te ambasadori Withers.

Nga ajo pak që mund të kuptohet, zoti Rama i kishte telefonuar më herët ambasadorit amerikan, i cili mesa duket ka pasur një problem me telefonin.

“Më kishe telefonuar më herët?”, pyeti ambasadori. “Po”, u përgjigj Rama.

Ambasadori Withers po i shpjegonte Ramës problemin dhe personat e pranishëm u larguan për t’i lënë vetëm. Por fjalët kapen nga mikrofonat e kamerave dhe Edi Rama i kërkoi ambasadorit Withers të bëjnë mënjanë.

“Po na dëgjojnë këtu mbrapa. Mbase shkojmë përmes këtij korridorit të ngushtë atje ku nuk munden”, i ka thënë ai diplomatit amerikan.

Të izoluar nga të tjerët dhe larg mikrofonëve, kryetari i Partisë Socialiste dhe ambasadori amerikan qëndruan për 20 minuta kokë më kokë. Fill pas kësaj, Edi Rama u largua nga një ceremoni, e cila në fakt filloi me rreth 40 minuta vonesë.

Kurse kryeministri Berisha është takuar shkarazi me ambasadorët e ndryshëm. Madje u ka kaluar afër, pa i vënë re, ambasadorëve Withers dhe Montobio, që u ngritën në këmbë për ta përshëndetur.

Kryeministri dhe presidenti i Republikës kanë shtrënguar fort duart dhe pas ceremonisë, kanë trokitur gotat edhe me kryetaren e Kuvendit.

Në të njëjtën kohë, fill pas fjalës së ambasadorit Lohan, largohej edhe ambasadori Withers. Në ceremoni nuk ndejtën shumë as presidenti dhe as kryeministri.

Top Channel