Kryqi i Kuq konfirmon burgun sekret në Bagram

11/05/2010 11:35

Kryqi i Kuq ka konfirmuar për BBC ekzistencën e një burgu sekret në bazën amerikane në Bagram të Afganistanit.

Nëntë ish-të burgosur kanë deklaruar për rrjetin informativ britanik se ata ishin mbajtur të mbyllur në ndërtesa të vecanta, ku kanë pësuar edhe abuzime.

Nga ana tjetër, ushtarakët amerikanë kanë deklaruar se burgu në fjalë është vetëm një qendër riaftësimi.

Megjithatë, ata kanë premtuar se do të zhvillojnë një hetim lidhur me informacionet për abuzime.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq deklaroi se që prej gushtit të vitit 2009, autoritetet amerikane kanë pasur të dhëna mbi emrat e personave të burgosur.

Kryqi i Kuq iu përgjigj kështu pyetjeve të BBC për ekzistencën e burgut, të cilin shumë të burgosur e identifikojnë me emrin “burgu i zi”.

Top Channel