Britani, Camerun do drejtojë qeverinë e re

11/05/2010 21:40

Pas pesë ditë bisedimesh intensive të partive politike, Britania e Madhe do të ketë një qeveri koalicioni të drejtuar nga lideri konservatorëve David Cameron duke i dhënë fund qeverisjes 13 vjecare të laburistëve.

Negociatorët konservatorë dhe liberal demokratë duket se kanë arritur mes tyre një marrëveshje të cilësuar historike, për të formuar një qeveri koalicioni ku zv/kryeministër pritet të jetë Nick Clegg, udhëheqësi Liberal-Demokratëve. Por janë organet e larta drejtuese të dy partive sëbashku me deputetët ata të cilët do të thonë fjalën e fundit për të miratuar c’farë është rënë dakort mes negociatorëve.

Ndërsa kryeministri Gordon Brown për herë të fundit la “10 Downing Street” mbrëmjen e së martës dhe iu drejtua pallatit mbretëror Buckingham, ku i paraqiti mbretëreshës Elisabeta II dorëheqjen dhe rekomandoi emrin e David Cameron si pasuesin e tij. 40 minuta më pas Camerun sëbashku me bashkëshorten Samanta vizituan Buckingham Palace ku monarkia britanike e mandatoi atë për të formuar qeverinë. Liberal-Demokratët megjithëse dolën të tretët nga zgjedhjet e 6 Majit, ishin vendimtarë me 57 vendet e fituara në parlament për të zgjidhur këtë ngërç politik në Britaninë e Madhe.

Pasi dështuan të gjitha përpjekjet për të formuar një koalicion me Laburistët, u janë dashur më shumë se 5 orë bisedime gjatë ditës së sotme Liberal-Demokratëve dhe konservatorëve për të arritur marrëveshjen e vlerësuar “si deçizive në të mirë të kombit”. Nuk dihen ende teknikalitetet e marrëveshjes por një gjë është e sigurtë se konservatorët kanë bërë lëshime të mëdha pasi nuk kishin asnjë mundësi tjetër përveç bashkëpunimit me Liberal-Demokratët. Atyre u është dashur të plotësojnë një sërë kërkesash të Liberal-Demokratëve ku më kryesoret janë reforma elektorale dhe një qasje më e madhe pro Bashkimit Europian.

Ndërsa Liberal-Demokratët nga ana e tyre kanë rënë dakort të negociojnë me konservatorët duke u tërhequr nga plani për një amnisti nga e cila do të legalizoheshin 1 milionë emigrantë ilegalë. Analistët politikë parashikojnë një sërë problemesh për këtë qeveri koalicioni, të cilat në Britaninë e Madhe nuk e kanë jetën e gjatë nëse do t’i referohemi të së njëjtës përbërje qeverie në vitin 1974. E nëse parashikimet dalin të sakta, atëherë britanikëve do t’u duhet përsëri t’i drejtohen kutive të votimit fillim-vitin e ardhshëm.

Top Channel