Irak, 60 të vdekur në një seri atentatesh

10/05/2010 17:10

Të paktën 60 persona kanë mbetur të vrare dhe rreth 200 të tjerë të plagosur si pasojë e një seri atentatesh terroriste që kanë përgjakur qytete të ndryshme të Irakut.

Kështu, në Suajra, një bombë shpërtheu pranë një xhamie shiite, ndërkohë që kur kalimtarët u afruan për t’u ardhur në ndihmë viktimave, një autobombë u hodh në erë duke shkaktuar të tjera viktima. Dy shpërthimet shkaktuan gjithësej 11 të vdekur dhe 70 të plagosur.

Ndërkohë, tre autobomba shpërthyen në qytetin e Hilas, 62 kilometra në jug të Bagdadit, duke vrarë 36 persona dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë.

Ndërsa në Bagdad disa bomba janë vendosur pranë disa postoblloqeve, duke u marrë jetën 9 personave dhe plagosur 24 të tjerë, të gjithë anëtarë të forcave të sigurisë.

Shpërthime të tjera u regjistruan edhe në Tarmija, Falluxha, Iskandarija dhe Mosul. Vala e dhunës vjen tre javë pas vdekjes së dy krerëve të Al Kaedës në Irak, Abu Omar Al Bagdadi dhe Abu Ajub Al Masri, të vrarë në një operacion të forcave irakene dhe atyre amerikane.

Top Channel