Kryetari i Partisë Socialiste ka hedhur poshtë çdo dyshim për vërtetësinë e grevës së urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj. Ai ka theksuar se “kjo nuk është një përpjekje si të tjerat dhe se nuk ka forcë që të dalë kundër një rezistence paqësore për liri dhe demokraci”.
“Kjo çadër është simboli i sfidës së madhe të popullit opozitar për liri dhe demokraci. Ne nuk pyesim për asnjë rrezik sepse nuk kemi frikë të kemi të drejtë”, theksoi Rama.
“Kur një njeri i zakonshëm rri 10 ditë pa bukë për arsye që nuk lidhen me shpirtin e tij mbase s’ngrihet dot nga shtrati. Por kur një njeri i zakonshëm ndjen nevojën për liri, nuk është ushqimi që i hyn nga goja që i jep fuqinë për të folur, por ushqimi që i vjen nga shpirti, duke rezistuar dhe thyer çdo ligj të natyrës”, është shprehur Rama.
“Nuk kanë vdekur këngëtarët, artistët, qytetarët që vijnë nga të gjitha anët e botës për të mbështetur grevën”, është shprehur Rama duke iu referuar futjes në grevë urie të këngëtares Elsa Lila.
“Ne duam një Shqipëri që të mos jetë e fundit në Ballkan për lirinë e informacionit dhe të shtypi. Ne duam një Shqipëri ku shteti të jetë i lirë dhe nëpunësit e shtetit të varen nga ligji dhe jo nga urdhëri. Që mësuesi dhe mjeku të jenë të lirë të nënshtrojnë profesionin e tyre. Ne duam një Shqipëri që shteti të jetë i të gjithëve”, theksoi Rama.
Top Channel