Socialistëve u kishte ngelur vetëm greva e urisë, pasi rrugët e tjera të ndjekura prej tyre nuk çuan në zgjidhjen e krizës politike dhe nuk sollën plotësimin e kërkesave të opozitës.
Kjo ishte deklarata e bërë dje nga socialisti Dritëro Agolli gjatë një vizite që deputetët socialistë i bënë në shtëpinë e tij.
Kanë qenë deputetët e PS-së, Namik Dokle, Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, të cilët kanë bërë një vizitë në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agollit, duke i çuar një tufë me lule nga ana e deputetëve dhe qytetarëve grevistë në shenjë falënderimi për mbështetjen dhe solidarizimin e dhënë.
Gjatë bisedës, Agolli ka theksuar se greva është një mjet demokratik shprehje. “Një nga mjetet e luftës për demokracinë e vërtetë janë grevat, protestat. Nuk ka mjete të tjera. Me mitraloza e topa nuk bëhet demokraci. Nëpër luftë po, në revolucione kur ia sjellin popullit në majë të hundës ai do të ngrihet doemos”, deklaroi Agolli.
Top Channel