Lobingu me amerikanët “ngec” te gjykatat

07/05/2010 08:40

Jo vetëm që mund të përfitojmë sërish pak, krahasuar me vendet e tjera, por kësaj here, Shqipëria rrezikon të mos marrë asnjë fond nga qeveria amerikane, në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit, projekt qindra milionësh dollarë.

Një ditë pas publikimit në “Shqip” të lajmit se shtabi i Kryeministrit do të nisë punën për të lobuar me synim përfitimin e sa më shumë fondeve nga SHBA, vjen reagimi nga drejtori i Misionit të USAID, Joseph Williams, i cili thotë hapur se, kësaj here situata është disi më e komplikuar për shkak të reformave të ngadalësuara.

I pranishëm në forumin e biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, drejtori i ri i USAID, iu përgjigj pyetjes rreth projektit të qeverisë amerikane, i cili akordon fonde për vendet në zhvillim, mbi bazën e disa kritereve. Qeveria shqiptare ka përfituar dy herë nga 14 milionë dollarë, ndërsa vendet e tjera merrnin deri në 250 milionë dollarë, si pasojë e rezultateve të dobëta në luftën kundër korrupsionit.

Kësaj here, përgjigjja e të cilës mund të vijë pas 6 muajsh, rrezikojmë të mos marrim asnjë cent dollarë. “Në muajt në vijim, Shqipërisë do t’i duhet të tregojë se sa ka arritur për të ngritur këto infrastruktura të nevojshme dhe të demonstrojë a është e aftë për t’u kualifikuar për programin tjetër dhe të meritojë fondin e ndihmës nga qeveria amerikane. Por duket se Shqipëria ka pak shanse për të përfituar sërish nga programi për faktin se nuk ka përfunduar një nga projektet më të rëndësishme atë të Gjykatës Administrative”, tha Williams. Përgjigjja e Williams erdhi pas insistimit për të mësuar nga të pranishmit sesa do të jenë fondet e akorduara për qeverinë shqiptare, edhe pse duhen 6 muaj kohë. “Nuk mund t’ju jap shifra, por them se potenciali është i madh. P.sh, Gjeorgjia që ka 7 milionë banorë përfitoi një program me vlerë 85 milionë dollarë, ndërsa Mongolia që ka 2 milionë banorë përfitoi 285 milionë dollarë. Këto vende kanë kritere financiare dhe kushte të caktuara për të cilat përfitojnë. Shqipërisë që të përfshihet në programin e ardhshëm do t’i duhet të plotësojë disa kushte”, tha shefi i USAID.

Negociatat

Pak ditë më parë, Kryeministria përfitoi një fond shtesë prej 800 mijë dollarë, i nevojshëm për të lobuar me kompania të huaja, në mënyrë që të përfitojë fonde apo investime, përfshi këtu edhe nga qeveria amerikane përmes Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit.

Por duket se mosfunksionimi i gjykatave administrative, si pasojë e ngërçit politik, detyron amerikanët të “ngrijnë” negociatat për fondet e projekteve të tjera. “Një prej projekteve madhore me të cilat po punon USAID nëpërmjet programit të Sfidës së Mijëvjeçarit është dhe Gjykata Administrative. Ngritja e këtyre kapaciteteve përbën një sfidë për Shqipërinë, por duket se tashmë kjo çështje është kthyer në një çështje politike”, u shpreh Williams.

Brenda këtij programi, USAID ka edhe projektin e reformës në tatime, pagimin online të taksave në mënyrë vullnetare dhe së fundi ka nisur puna për regjistrimin territorial për të cilën po ngrihet dhe një Agjenci Ndërkombëtare.

“Gjykata Administrative është një prej këtyre komponentëve dhe duket se nuk do të mundet të realizohet për shkak të faktorëve të jashtëm. Ne jemi në mes të rrugës së një programi që zgjat 1 .5 vjet dhe në përfundim të tij çka do të thotë në një periudhë kohë 6–9 muaj Shqipërisë do t’i duhet të kërkojë rikualifikim të mëtejshëm dhe ky është momenti kur do të tregojë se sa potencial ka dhe sa i ka realizuar projektet e veta”, përfundoi shefi i USAID, duke folur me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane.  
 

Biznesi

Në forumin e biznesit u trajtuan një sërë çështjesh që kishin të bënin me teknologjinë dhe mbështetjet që mund të jepte USAID në trajtimin e stafeve. Bizneset e pranishme në takim, kishin kontakte me partnerë amerikanë, për rrjedhojë kërkonin nga USAID asistencë në zhvillimin e kapaciteteve.

Takimi me shefin e USAID u bë me anëtarët e Bordit Drejtues të Dhomës Amerikane, ndërsa pritet së shpejti një tjetër takim me ambasadorin amerikan.

Top Channel