Veteranë të biçikletës

05/05/2010 19:00

Teksa pranvera është në manifestimin e saj më të bujshëm, për disa njerëz, do të fillojë pas pak një aventurë prej së cilës ata nuk ndahen dot.

Shqipëria ka një numër të madh dashamirësish të çiklizmit, të angazhuar në klube, rrethe shoqërore e grupime të tjera. Do të shëtisim sot me biçikletë me njërin prej tyre. Janë të gjithë ish-profesonistë të çiklizmit, tashmë të grupuar në rrethin e veteranëve.

“Kam që në 1980-ën me biçikletë. Na mban pasioni. Kemi qenë çiklista dhe tani e ushtrojmë për kalitje, për të mbajtur trupin në formë”, thotë çiklisti.

Pasioni i vetër i mban ende të lidhur fort pas biçikletës, me të cilën përshkruajnë çdo javë distanca kilometrike. Arben Heta, mjeshtër sporti në çiklizëm tregon se që në fëmijërinë e hershme e deri sot vazhdon të jetë i dashuruar me mjetin që i dhuron jetë.

“Është një pasion i çuditshëm. E kemi ëndërruar që në fëmijëri, e ëndërrojmë edhe sot. Flasim me pasion me njëri-tjetrin. Kemi afruar shumë shokë të larguar në grup”, thotë Arbeni.

E për këtë arsye ka edhe shumë të rinj që i bashkohen pasionit të çmendur të sfidave të rrugës.

“Kërkon shumë vullnet. Bën mirë për shëndetin, stresin, nga të gjitha pikëpamjet ky është një sport pozitiv. Të dobëson, mban trupin në formë”, thotë Arjan Alliu.

Këto ture të gjata të cilat nuk synojnë më trofe, ruajnë ende një motiv të fortë për shpirtin e garës.

“Këtë ambjent për ta shijuar, këtë pastërti na e bën të mundur biçikleta. E ushtroj me pasionin e rinisë, pavarësisht se mosha bën të vetën. Nëse organizon ture, e bukura është se lëviz nëpër qytete me kilometra të tëra”, thotë Ilirian Çula.

Të çash përmes zonave urbane e jo urbane, të rendësh pas pasionit për kilometra të tëra duke pedaluar është e vështirë.

“Kërkon vullnet të fortë. Duhet forcë, duhet të jesh shumë i kompletuar, por dhe shumë i zgjuar të fitosh”, thotë Ronandi.

Por asgjë s’është e pamundur për njerëzit që dashurojnë sfidën.  

“Bëjmë rrugë të gjata 50-60 km, 3 herë në javë. Realizojmë gjëra të vështira. Thonë që kilometri i 29 është shumë i vështirë, ne themi se e realizojmë mirë”, tregon Rolandi.

Ilirjan Cula, ish-çiklist profesonist tregon se shumë gara të tyre janë ndërprerë nga ngjarje tragjike, të cilat s’janë qenë kurrë motiv për të hequr dorë.

“Jemi rrëzuar, kemi jetuar aksidente, kemi humbur shokët tanë. Jemi menduar ta vazhdojmë ose jo këtë sport, por pasoni e ka mbytur frikën”, thotë Ilirjani.

Me pasionin e çmendur të rinisë së përhershme këta njerëz vazhdojnë t’i qëndrojnë pas aventurës, pasionit dhe kënaqësisë së paçmueshme që u dhuron lëvizja mbi dyrrotakët e tyre të dashur.

Mes impenjimit të madh dhe shumë rreziqeve që ndeshin çdo ditë në rrugë, këta njerëz vazhdojnë të ekzistojnë dhe madje të shërbejnë edhe si shembuj të jetës së shëndetshme e plot pasion, që meriton të kualifikohet si “një jetë e jetuar ashtu siç duhet”.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel