Ndërmarrje sociale për shtresat në nevojë

05/05/2010 08:10

Vitet e fundit vendet europiane kanë miratuar ligje mbi ndërmarrjen sociale.

Duke adoptuar modelin social dhe sistemet ndërkombëtare, Ministria e Punës ka ngritur një grup pune, i cili po kujdeset për hartimin e draft-ligjit për ngritjen e ndërmarrjeve sociale në Shqipëri.

Dje, në konferencën “Së bashku për Europën; Roli i bashkëpunimit të decentralizuar për zhvillimin në Shqipëri. Zhvillimi dhe kohezioni social”, organizuar në kuadër të eventeve “Dy popuj, një det, një miqësi”, ministri i Punës, Spiro Ksera, ka deklaruar: “Ligji i ri për ngritjen e ndërmarrjeve sociale do t’u vijë në ndihmë personave të përjashtuar dhe në nevojë dhe i hap rrugë zbatimit të politikave aktive për mbështetjen e grupeve në nevojë”.

Në Qarkun e Fierit është ngritur për herë të parë Komiteti i Vlerësimit të Nevojave dhe Planifikimit. Ky komitet përbëhet nga 14 anëtarë. Kryesisht në përbërje janë kryetarë komunash, drejtoresha e Drejtorisë Rajonale Arsimore, e Shëndetit Publik, Policisë së Qarkut Fier, Dhomës së Tregtisë, kryetari i bashkisë.

Ngritja e kësaj strukture të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore pranë Këshillit të Qarkut jo vetëm në Fier, por edhe në qarqe të tjera, ka për qëllim përcaktimin e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore për individët dhe grupet në nevojë, të cilët nuk sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, zhvillimin e aftësive dhe mundësive personale për ruajtjen e identitetit, për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike dhe shoqërore. Sipas kryetarit të Qarkut Fier, Luan Muçaj, në strukturën e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore do të mbështetet edhe një shtresë tjetër, ajo e romëve.

Janë tetë komuna në Qarkun e Fierit, ku jetojnë 1895 familje që jetojnë nën minimumin e jetesës.

Top Channel