“Lejet”, Kushtetuesja zbardh vendimin

05/05/2010 20:50

Gjykata Kushtetuese zbardh argumentet e vendimit me të cilin rrëzon komisionin hetimor të miratuar nga Kuvendi për hetimin e lejeve të ndërtimit dhënë nga bashkia e Tiranës.

Në 17 faqe, Gjykata Kushtetuese shprehet se Kuvendi ka tejkaluar kompetencat e tij kur konstatoi pavlefshmëri të vendimeve të KRRT-së së Tiranës në datën 17 prill 2009.

Gjykata thotë se objeki i hetimit të këtij komisioni hetimor nuk ka respektuar kriteret e sanksionuara nga Kushtetuta dhe  nuk përputhet me qëllimet e kontrollit parlamentar.

Në këto kushte, vazhdon Gjykata Kushtetuese, mënyra se si është përcaktuar objekti i hetimit parlamentar në vendimin e Kuvendit për ngritje komisioni, hetimi i kryer nga ky komision si dhe konstatimet e këtij komisioni kanë shkaktuar konflikt kompetencash duke sjellë si pasojë pengimin e ushtrimit të kompetencave të veta nga ana e bashkisë së Tiranës.

Gjykata Kushtetuese thekson se funksioni kontrollues i Kuvendit nuk mund të qëndrojë jashtë natyrës së tij ligjvënëse, pasi sipas saj komisioni hetimor kontrollon brenda kompetencave kushtetuese, një fenomen apo një drejtim të caktuar të cështjes, por pa hyrë në sferën e kompetencave të organeve të tjera.

Gjykata Kushtetuese thotë për vendimin e Kuvendit për ngritje komisioni, se nocionet që janë përdorur në këtë vendim janë të paqarta dhe se një situatë e tillë, pra specifikimi i objektit të hetimit nga ana e komisionit hetimor, do të përbënte një nëndelegim nga ana e Kuvendit, c’ka është në kundërshtim me Kushtetutën.

Top Channel