Dorëhiqet kreu i doganave, Endri Pema

29/04/2010 08:55

Krejt papritur, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Endri Pema, ka dhënë dorëheqjen, duke ia përcjellë kërkesën Ministrisë së Financave.

Vendimi u mor dje nga Këshilli i Ministrave, por largimi i drejtorit Pema është bërë tri ditë më parë.

Lajmi në fillim u përhap nga burime informale, pasi Kryeministria nuk pranoi ta publikonte vendimin në faqen zyrtare të internetit, sikurse veproi me vendimet e tjera.

Dorëheqja e Pemës vjen në një kohë kur doganat kishin bërë kthesë në rritjen e të ardhurave, sidomos në muajin mars.

Ndërkaq, burime zyrtare nga Ministria e Financave konfirmojnë për “Shqip”, se shkaku i dorëheqjes lidhet për arsye personale dhe nuk ka të bëjë aspak me performancën apo me ndonjë arsye tjetër.

Ndërkaq, qeveria ka gjetur direkt zëvendësuesin, duke emëruar në krye të Doganës nëndrejtorin aktual, Flamur Gjymishka.

Vendimi

Kur kishte mbushur plot një vit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm, Endri Pema jep dorëheqjen. Gjatë këtij viti, ish-kreu i doganave është përpjekur të rrisë performancën në menaxhimin e të ardhurave, por kriza ekonomike nuk e mundësoi plotësisht një gjë të tillë.

Nën drejtimin e tij, doganat u përballën me një sërë ankesash nga biznesi, sa u takon referencave doganore, madje kohët e fundit ai kishte krijuar një konflikt me Dhomën Amerikane të Tregtisë, gjatë takimit me anëtarët e saj.

Pema u emëruar drejtor i Përgjithshëm duke zëvendësuar Përparim Dervishin, kreu më jetëgjatë i doganave, me motivacionin e ndryshimit të punës në administratë.

Duke parë shifrat dhe historikun, si tremujor, doganat dalin me 1 miliard lekë më pak se plani. Këtë nivel deficiti kishte edhe Përparim Dervishi kur la detyrën më 17 prill 2009.

Drejtori i ri

Flamur Gjymishka do të jetë drejtori i ri i Përgjithshëm i Doganave. Deri dje ai mbante detyrën e nëndrejtorit të Përgjithshëm, ndërsa kohë më parë ka punuar në strukturat e hetimit doganor.

Burime rreth tij thonë se Gjymishka njihet si specialist dhe serioz në punën e tij, dhe se emërimi tij nuk lidhet me ndonjë lobing apo grup interesi të mundshëm.

Gjymishka është me origjinë nga Dibra dhe në CV-në e tij njihet edhe ushtrimi i detyrës (drejtues i lartë në kohën e Gazidedes) në strukturat e ish-Shërbimit Informator Kombëtar (SHIK), sot SHISH.

Top Channel