Gjurma, by-Pass-i i Fierit shmang Apoloninë

26/04/2010 09:00

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, si dhe Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit ka përzgjedhur versionin përfundimtar të By-Pass që do të lidhë pjesën lindore me atë perëndimore të rrethit të Fierit, ose autostradën Lushnjë-Fier me atë Levan-Vlorë e Levan–Tepelenë.

Nga tre versione, specialistët e ministrisë dhe të Drejtorisë së Rrugëve kanë zgjedhur njërin variant.

“Bëhet fjalë për projektin, cili i qëndron rreth 800- 1000 metra larg Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Një nga versionet ishte prekja e sipërfaqes së parkut dhe një tjetër devijimi deri në disa km dhe afrimi me zonën e plazhit.

Të dy këto versione janë rrëzuar”, ka thënë për “Shqip”, kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, Luan Muçaj.

Të sigurt për projektin e përzgjedhur specialistët e ministrisë dhe të Drejtorisë së Rrugëve duket se kanë shmangur pretendimet e arkeologëve.

Por, nga Drejtoria e Parkut Arkeologjik të Fierit, ende nuk është dhënë deklarata zyrtare. Flitet që specialistë pranë kësaj drejtorie kanë dy ditë që kanë nisur inspektimin e zonës ku është vendosur së fundmi që të kalojë gjurma e By-Pass.

Ndërtimi i këtij By-Pass-i akoma nuk ka një afat zyrtar të nisjes së punimeve. Edhe vetë kryetari i këshillit të Qarkut Fier, si dhe drejtues të prefekturës hezitojnë të japin një datë të saktë.

Projekti nisin të përflitet që në kohën e qeverisjes së Fatos Nanos, ndërkohë që pas qeverisë së krijuar nga Sali Berisha në vitit 2005, rruga u diskutua dhjetëra herë edhe në nivel lokal, por u rrëzua si shkak i cenimit të zonës arkeologjike.

Nyja e autostradës është inauguruar disa herë nga Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi.

Top Channel