Librazhd, shpërthim në uzinën e demontimit

22/04/2010 19:05

Një shpërthim i predhave që po demontoheshin ka ndodhur në uzinën e asgjesimit të municioneve në Zgarë të Librazhdit.

Burime të besueshme të policisë pohuan se ngjarja ka ndodhur gjate kohës së demontimit të një predhe, e cila ka shkaktuar edhe shpërthimin e dy të tjerave.

Për pasojë tre punonjës kanë marrë plagë të rënda. Dy prej tyre janë transportuar menjëherë në spitalin e qytetit të Librazhdit, ndërkohë që i plagosuri tjeter, i cili ndodhet në situatë kritike për jetën, është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Poligoni i Zgares, i cili po përdoret që prej fundvitit 2008 si uzinë e asgjesimit të municioneve të vjetra, u miratua pas tragjedisë së Gërdecit si një ndër tetë pikat e reja ku do të demontoheshin dhe asgjesoheshin municionet.

Paraprakisht dhe jo zyrtarisht mësohet se në këtë poligon demontoheshin predha të vjetra, kryesisht të vitit 1980, ndërkohë që funksion të tillë kanë edhe poligone të tjera të hapura enkas në Pukë, Bize, Gramsh, Skrapar, Voskopojë, Këlcyrë dhe Durrës.

Top Channel