Shtrenjtimi i bonove rrit borxhin e qeverisë

16/04/2010 20:00

Rritja e deficitit buxhetor është shoqëruar me rritjen e interesave të bonove të letrave me vlerë.

Në tre vjet defictiti buxhetor është rritur sipas FMN-së, me 3 pikë përqindje duke arritur në 6.9 për qind. Pikërisht kjo periudhë përkon dhe me rritjen më të fortë të interesave të letrave me vlerë, përmes të cilave qeveria merr borxh nga bankat dhe publiku vendas te cilat qe nga viti 2007 jane rritur me 2.4 pikë përqindje.

Kjo rritje e interesave i kanë sjelle qeverise nje detyrim shtese per t’u paguar nga buxheti i shtetit ne vleren e rreth 160 milionë dollarë vetem per tre vitet e fundit. Aktualisht, borxhi i brendshëm i qeverisë, është sipas të dhënave zyrtare 416 miliardë lekë, nga të cilat 256 miliardë janë bono thesari dhe 160 miliardë janë në obligacione me afat maturimi më të lartë se një vit.

Vetëm brenda vitit 2007, interesat e bonove të thesarit u rritën me 1 pikë përqindje, duke e detyruar qeverinë të paguante rreth 30 milionë dollarë më tepër nga sa do kishte paguar, nëse interesat nuk do të ishin rritur. Kostoja e rritjes së interesave, u bë edhe më e rëndë në 2008, fatura u rrit edhe me 50 milionë dollarë si pasojë e rritjes së interesave. Interesat arritën pikun në vitin 2009, ku për bonot njëvejcar ishin 2.4 përqind më të larta se në vitin 2007, dhe për obligacionet 1.75 përqind më të larta.

Si pasojë në vitin 2009 qeveria është detyruar t’u paguajë bankave dhe atyre individëve që zotërojnë bono thesari dhe obligacione rreth 80 milionë dollarë më shumë nga sa do u kishte paguar nëse interesat nuk do të ishin rritur. Në total, në tre vite  kostot shtesë që ka paguar buxheti si pasojë e rritjes së interesave të letrave me vlerë arrijnë  përafërsisht në mbi 16 miliardë lekë ose  rreth 160 milionë dollarë. Kjo shifër është gati sa 40 për qind e faturës totale për ndërtimin e gjithë rrjetit të rrugëve rurale në vend, para të cilat qeveria prej vitesh i kërkon borxh nga donatorët.

Top Channel