Teknologji, investimet e ulëta

13/04/2010 15:35

Banka Botërore vëren se ekonomia shqiptare po humbet terren krahasuar me ekonomitë e vendeve të tjera, për shkak të investimeve të ulëta në teknologji që rrisin konkurrencën e produkteve.

Në një raport të fundit, Banka vëren se Shqipëria ka importet më të ulëta në rajon të mallrave kapital, makinerive dhe pajisjeve që përdoren për investime dhe përmirësim teknologjie. Sipas Bankës, importet e këtyre mallrave në Shqipëri janë mesatarisht 5 për qind më të ulëta, se sa vendet e rajonit dhe 16 për qind më të ulëta se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

“Këto shifra tregojnë se bizneset shqiptare nuk po përfitojnë nga njohuritë dhe teknologjia globale përmes investimeve në makineri dhe pajisje moderne aq shumë sa konkurrentët e tyre rajonale,” vëren raporti.

Edhe kanali tjetër, i transferimit të teknologjive, ai i investimeve të huaja direkte, sipas Bankës në Shqipëri ka qenë i kufizuar. Kjo për shkak se Shqipëria vijon të ketë treguesin më të ulët të investimeve të huaja direkt në rajon, vetëm 7.8 për qind të produktit të brendshëm bruto dhe shumica e tyre janë përqëndruar në sektorin e veshjeve që nuk kërkon investime të larta në teknologji.

Raporti evidenton një sërë shkaqet që po pengojnë modernizimin e teknologjisë në ekonominë shqiptare. Sipas Bankës, bizneset e pyetura dhe kryesisht investitorët e huaj në Shqipëri thonë se ngurrojnë të investojnë në makineri moderne për shkak të problemeve me energjinë elektrike, të cilat mund të dëmtojnë pajisjet.

Një tjetër arsye, sipas tyre është klima problematike  e biznesit dhe paqëndrueshmëria e situatës politike në vend, që rrit pasigurinë e investimeve në periudhë afatgjatë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA