Katër muaj pasi mori Pyetësorin nga Komisioni Europian, qeveria shqiptare është gati të cojë në Bruksel përgjigjet e 2283 pyetjeve, vleresimi i të cilave do të përcaktojë nëse Komisioni Europian do ta klasifikojë Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat.(UPDATE)
Pak minuta përpara se dosja voluminoze me 3854 faqe të udhëtonte drejt Brukselit, kryeministri Sali Berisha shprehu besimin në objektivitetin e zyrtarëve të Komisionit Europian për vlerësimin e reformave të Shqipërisë.
“Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. Bashkë me këtë material do të dorëzohet edhe kopja elektronike e përgjigjeve, me besimin më të madh se do të marrin vlerësim objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë”, u shpreh Berisha.
Megjithese nuk foli gjatë, kryeministri Berisha, nuk shmangu ftesën e bashkëpunimit për opozitën.
“Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër, qytetarët mbështesin procesin e integrimit në Bashkimin Europian.Ky është një rast të ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve”, theksoi Berisha.
Objektivi politik i Shqipërisë është marrja e statusit të vendit kandidat në fund të këtij viti, por, sic tha në Tiranë një muaj më parë, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, “nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Mesazh ky qe besohet se do te ritheksohet dy ditet e ardhshme, kur kryeministri Berisha te takohet me zyrtaret me te larte te Brukselit, presidentin e Këshillit Europian Herman van Rompuj, presidentin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, komisionerin per Zgjerimin Stefan Fule dhe presidentin e Parlamentit Europian, Buzek.
Top Channel