Tiranë, protestë kundër faturave të energjisë

08/04/2010 20:25

Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm kanë nxjerrë në protestë para godinës së OSSH-së banorët e njësisë bashkiake numër 1 në kryeqytet.

Banorë të kësaj zone dhe pjesëtarë të Partisë Socialiste kanë bërë përgjegjëse qeverinë Berisha për situatën e vështirë ekonomike të familjeve shqiptare.

Protestuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për stabilizimin e cmimeve si dhe largimin e kryeministrit Berisha nga qeverisja.

“Jemi bashkuar me qytetarët për këtë situatë ekonomike të rëndë, për këtë rritje të cmimeve. Kemi një kryeministër që tallet me qytetarët”, ka deklaruar socialisti Besnik Bare.

Sipas përfaqësuesve të PS, rritjen e cmimit të energjisë nuk po e vuajnë vetëm familjet, por edhe institucionet e edukimit, të cilat po përballen me fatura të larta të energjisë elektrike.

Ata kanë deklaruar se papunësia dhe niveli i lartë i cmimeve duke filluar që nga ushqimi e deri te arsimimi, apo shpenzime të tjera të përditshme, po rëndojnë gjithmonë e më shumë xhepat e familjeve shqiptare për ekonomitë e të cilave këto kosto jetese janë të papërballueshme.

Top Channel