Të krishterët kremtojnë Pashkët në gjithë Shqipërinë

04/04/2010 18:00

Pashkët u kremtuan në gjithë Shqipërinë. Të krishterët shqiptarë pritën mbrëmë me ceremonitë përkatëse ringjalljen e Krishtit.

Elbasan

Me mijra të krishterë, katolikë e ortodoksë kanë kremtuar mbrëmë Pashkët në Elbasan. Besimtarët kanë marrë pjesë në ceremonitë e shenjta dhe kanë uruar njëri-tjetrin. Këtij urimi i është bashkuar edhe At Nikolla Marku, prifti në Kishën e Shën Mërisë.

Korçë

Kremtimi i Pashkës ortodokse në Korçë ka mbledhur mijëra besimtarë në shesh para kishës katedrale. Besimtarët kanë pritur në mesnatë ringjalljen e Krishtit pasi kanë ndjekur ceremoninë fetare të rastit të drejtuar nga mitropoliti Imzot Joani dhe kleri ortodoks. Besimtaret kane marrë në mesnatë dritën përmes qirinjve të ndezur si pjesë e ritualit. Drita e qirinjve del nga kisha dhe merret nga të gjithë besimtarët ortodoksë për t’u futur në shtëpi si shenjë e ndricimit të jetës.

Shkodër

Pashkët janë festuar dhe në qytetin e Shkodrës, ku besimtarë katolikë dhe ortodoksë këtë herë e kanë kujtuar në të njëjtën ditë ringjalljen e Krishtit. Pashkët janë pritur me ceremoni fetare, ku në të gjitha kishat katolike dhe ortodokse janë mbajtur meshat. Ceremonitë kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, ku besimtarët kanë vijuar lutjet në këtë ditë të madhe. Festimi i Pashkëve në të njëjtën ditë si për besimtarët katolikë dhe ortodoksë ka krijuar një atmosferë ndryshe nga vitet e tjera, duke krijuar përshtypjen e një  feste akoma më të madhe.

Nartë

Në fshatin e Nartës në Vlorë cdo vit Pashkët priten me entuziazëm. Traditat dhe zakonet vazhdojnë të festohen akoma, sic janë karnavalet, ku Narta njihet si një ndër vendet e pakta në Shqipëri që e zhvillon. Për më tepër kjo festë zgjat për tre ditë dhe netë pa ndalim, ku shumë të rinj të ardhur nga vendet fqinje, si Greqia dhe Italia bëhen pjesëmarrës të saj.

Top Channel