Ish-punonjësit e NB, sërish në rrugë për pronat

04/04/2010 09:15

Banorët e Orikumit sërish në protesta për pronat që kanë përfituar në bazë të Ligjit 7501. Protesta e radhës ka pasur për qëllim ndërgjegjësimin e qeverisë dhe marrjen e masave për shmangien e përmbytjeve të tokave dhe rikthimin në kënetë.

Protestuesit, ish-punëtorë të NB-së së Orikumit, janë mbledhur mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit dhe kanë ecur në këmbë përgjatë bulevardit të ri derisa janë ndalur në zonën ku një sasi e konsiderueshme toke është përmbytur nga shirat e fundit.

“I bëjmë thirrje qeverisë që të shikojë me përparësi tokën tonë, pasi sipërfaqja e përmbytur është e mbjellë me grurë dhe me bimë të tjera që janë jetësore për popullin e Orikumit.

Kjo është një metodë mafioze për të na marrë tokat. Nuk po mundin të na i marrin me dokumente false, por po gjejnë një mënyrë tjetër, duke i lënë të mbyten nën ujë që të rikthehen në kënetë, siç kanë qenë para shumë vitesh. Kjo bëhet që të na detyrojnë të dorëzojmë tokën pa kushte, por ne nuk do të dorëzohemi kurrë. I bëjmë thirrje qeverisë që të na japë sa më shpejt certifikatën e pronësisë për tokën”, janë shprehur të indinjuar protestuesit.

Ndërkaq, banorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre. “Ne nuk trembemi nga gjykatat e Berishës. Ne do të vazhdojmë të protestojmë dhe më fort me të gjitha mënyrat demokratike, derisa qeveria të na japë tokën tonë”, kanë theksuar ata.

Top Channel