Nishani: Ndëshkim avokatëve

31/03/2010 19:50

Për herë të parë, pas debateve të shumta për mungesën e avokatëve në proceset gjyqësore, e per pasojë dështimin e dhjetra seancave, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani firmos kërkesën për procedim disiplinor për 12 avokatë.

Sipas Nishanit, avokatët kanë vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, si dhe me rregullat e parashikuara në kodin e etikës.

Pas njoftimeve të shumta ne sallën e gjykatës, kur togat e zeza informonin Dhomën e Avokatisë dhe ministrinë, Nishani i ka dërguar Dhomës së Avokatisë listën e emrave që do t’i nënshtrohen komisionit.

Ajo që bie në sy nga emrat është se shumica e avokatëve janë mbrojtës të të pandehurve pranë Gjykatës së Krimeve te Rënda, të angazhuar në proceset më të zvarritura, sikurse është gjyqi ndaj asaj që prokuroria e konsideron si banda e Durrësit, banda e Cërrikut apo banda e Qafë Gjashtës.

Vetëm nga ky proces i bandës së Durrësit janë emrat e shtatë avokatëve. Katër jane nga lista e avokatëve të caktuar kryesisht nga shteti për rastet kur mungojnë mbrojtësit kryesorë, ndërkohë që edhe këta vetë kanë shpërfillur seancat.

Të kontaktuar nga TCH, disa nga avokatët thanë se nuk kanë shkelur asnjë rregullore pasi sipas tyre mungesat e tyre nuk kanë qenë të qëllimshme, por të justifikuara nga gjyqe të tjera paralele.

Në 2008-ën ligji për avokatët ndryshoi, por situata për zvarritjet e gjyqeve mbeti e njëjtë, vecanërisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Top Channel