Sistemi bankar u “përmbyt” nga likuiditeti shtesë

29/03/2010 08:15

Depozitat e familjeve dhe bizneseve shqiptare në sistemin bankar u rritën me 135 milionë euro gjatë muajit janar, duke shënuar rritjen më të lartë mujore që nga gushti i vitit të kaluar, gjë që e rriti totalin e depozitave përtej maksimumit historik të shënuar para krizës së vitit 2008.

Sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave, totali i depozitave në sistem arriti në 713 miliardë lekë, (5.16 miliardë euro), duke shënuar një rritje me 10 për qind në krahasim me një vit më parë. Dy të tretat e depozitave të reja u furnizuan nga klientët individë, ndërsa një e treta nga kompanitë e biznesit.

Depozitat janë shtuar vazhdimisht që nga gushti i vitit të kaluar, por në gusht dhe janar, rritja ka qenë me ritëm shumë të lartë. Sistemi bankar shqiptar u përball me një krizë besimi në muajt shtator ’08-prill ’09, krizë që u shkaktua nga pasiguritë e krijuara nga kriza financiare botërore. Banka e Shqipërisë i ndihmoi bankat e nivelit të dytë, duke i dhënë para me interesa shumë të ulëta, por kjo gjë shkaktoi pjesërisht edhe presion nënçmues mbi monedhën shqiptare.  

I ashtuquajturi “stimul monetar” qe para e re e hedhur në treg për të mos lejuar mungesën e likuiditetit në banka dhe u konceptua si një ndërhyrje e përkohshme. Një paketë masash të jashtëzakonshme të ndërmarra nga BSH, u mundësuan bankave të tërheqin borxhe nga banka qendrore me interesa të ulëta.

Por duket se BSH po has në probleme në përpjekjet për tërheqjen e “stimulit monetar”, i cili arrin në rreth 32 miliardë lekë. Megjithëse depozitat janë shtuar në sistemin bankar dhe kriza e besimit është kapërcyer tërësisht, sasia e parave të hedhura në formë stimuli mbeti e pandryshuar. Disa ekonomistë arsyetojnë se një pjesë e parave që BSH u dha bankave të tjera në formë stimuli, nuk shkoi për kredi për publikun e gjerë, siç ishte konceptuar, por u përdor për blerjen e borxhit publik.

Tërheqja e stimulit mund të lehtësojë presionin mbi monedhën kombëtare. BSH miratoi një rregullore të re mbi menaxhimin e likuiditetit në përpjekje për të nxitur bankat të kthejnë borxhet e marra te BSH, por efektet e kësaj rregulloreje të miratuar disa muaj më parë, nuk janë parë ende.   

Efektet e para të rritjes së depozitave në sistem i ka ndier qeveria, pasi kërkesa për blerje të bonove të thesarit nga ana e bankave ka qenë shumë e lartë dhe rrjedhimisht interesat e bonove kanë rënë me shpejtësi të madhe. Por rritja e depozitave shpresohet se do të sjellë rikthimin e bankave te dhënia e kredive.  

Top Channel