Myftiu i Shkodrës padit Komunitetin Mysliman

29/03/2010 08:25

Myftinia e Shkodrës akuzon kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar për afera korruptive me pronat e vakëfit. Ka qenë vetë myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, së bashku me imamët e xhamive kryesore të qytetit, që ka bërë publike akuzat e ngritura dhe ka sqaruar mosmarrëveshjet e krijuara mes Myftinisë së Shkodrës dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman.

Sipas myftiut, kontradiktat janë krijuar pas abuzimeve që janë bërë me pronat në territorin e Shkodrës, e më konkretisht me çmimet e vlerësimit të truallit të vakëfit. Sipas myftiut Ndriçim Sulejmani, kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar u ka dhënë me çmim më të lirë pronat e vakëfit firmave të ndryshme ndërtuese, duke shkaktuar kështu një dëm që përllogaritet të jetë disa mijëra euro.

“Ne i jemi drejtuar gjykatës, pasi kjo kryesi është zhytur në veprime antiligjore. Aferat korruptive me pronat tashmë janë të dokumentuara dhe ne kemi dorëzuar në organet kompetente prova konkrete.

Është rasti që t’i bëjmë thirrje qeverisë dhe organizmave ndërkombëtarë që të ndërhyjnë, pasi janë bërë shkelje të rënda ligjore. Ne vazhdimisht jemi vënë nën presion  psikologjik të mohimit të marrjes në dorëzim të disa objekteve, prona të vakëfit, të cilat u janë dhënë firmave ndërtuese jashtë çmimit të tregut. Ky është dhe thelbi i konfliktit që është krijuar mes nesh”, ka sqaruar dje për mediat, myftiu Ndriçim Sulejmani.

Me tej ai ka shtuar dozën e akuzave duke thënë se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka abuzuar me pronat jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë dhe Durrës. Sipas tij ekzistojnë fakte dhe prova për këto abuzime dhe dihet nga të gjithë për cilat prona bëhet fjalë. Kontradiktat mes Myftinisë Shkodër dhe Kryesisë së Komunitetit Mysliman u bënë publike pas incidentit të ndodhur në Kavajë tri ditë më parë në mbledhjen e kryesisë, ku njërit prej përfaqësuesve shkodran iu kërkua të dilte jashtë nga mbledhja.

Në shenjë proteste të tre përfaqësuesit e Myftinisë së Shkodrës kanë braktisur mbledhjen. Ndërkohë, i pyetur për shkarkimin nga posti i myftiut të Shkodrës, ai është shprehur se nuk i ka ardhur asnjë shkresë zyrtare që t’i kërkohet të lërë postin. “Nuk ka shkresë zyrtare, por edhe nëse vjen, unë do të vazhdoj punën. Tashmë fjalën e ka drejtësia dhe vetëm pasi të hetohen abuzimet dhe të shihet kush kishte të drejtë, atëherë mund ta lë detyrën e myftiut”, ka thënë ai.

Vitet e fundit përplasjet mes drejtuesve të ndryshëm të Myftinisë së Shkodrës dhe Komunitetit Mysliman kanë qenë të shpeshta dhe si gjithnjë “mollë sherri” janë bërë pronat e vakëfit, që në Shkodër nuk janë të pakta dhe ndodhen në zonat kryesore të qytetit.

“Ne i jemi drejtuar gjykatës, pasi kjo kryesi është zhytur në veprime antiligjore. Aferat korruptive me pronat tashmë janë të dokumentuara dhe ne kemi dorëzuar në organet kompetente prova konkrete”

Top Channel