Agim Shehu fiton dhe paratë

29/03/2010 20:10

Gjenerali Agim Shehu, ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjithashtu edhe ish zv.ministër i Brendshëm gjate viteve 1995-1997, fiton një tjetër betejë me drejtësinë.

Gjykata e Tiranës i ka dhënë atij të drejtë në padinë civile kundër Ministrisë së Brendshme. Sipas gjykatës, shteti duhet t’i paguajë Agim Shehut rreth 14 milionë lekë, pagesat që nga 1997 deri në vitin 2008.

Pas një procesi të fituar me presidencën për heqje të padrejtë të gradës gjeneral, drejtorit aktual të investigimit pranë Drejtorisë së Tatimeve, i njihen gjithashtu të gjitha vitet kur ishte si azilant në Gjermani si vite shërbimi në polici dhe do t’i paguhen si të tilla.

Minsitria e Brendshme duhet t’i paguajë një më një shumën e konsiderueshme dhe interesat e munguara të tyre.

Konkretisht Agim Shehu paditi Ministrinë e Brendshme që t’i paguajë rrogën në përputhje me graden gjeneral që nga 30 qershori 1997, dita e zgjedhjeve te përgjithshme dhe kur ai u largua nga kjo detyrë, deri në vitin 2008 kur gjykata e kryeqytetit shpalli si të padrejtë heqjen e gradës së tij.

Ndërkohë, Agim Shehu është tërhequr nga kërkesa e tij cilive, ku kërkonte që ministria t’i jepte gradën madhore drejtues i parë.

Agim Shehu fitoi ne 2008-ën gjyqin për gradën, e cila iu hoq me dekret nga presidenti me motivacionin se kishte thyer rregullat e ushtarakut, ndërsa gjykata tha se ishin tejkaluar kompetencat pasi kreu i shtetit mund ta ulte vetëm në gradë, pavarësisht dorëheqjes së kërkuar prej gjenerali.

Agim Shehu njihet si njeriu që ka drejtuar me dorë të hekurt Policinë e Shtetit, si dhe ka drejtuar disa nga operacionet policore më të dhunshme ndaj protestave të opozitës së majtë në atë kohë.

Top Channel