“Ringjallet” Lufta e Ftohtë, avionë rusë mbi Britani

26/03/2010 02:30

Foto të rralla të cilat tregojnë avionë bombardues rusë në qiejt e Mbretërisë së Bashkuar kanë dalë në dritë prej Ministrisë së Mbrojtjes britanike.

Bashkë me imazhet britanikët kanë lëshuar edhe një deklaratë publike, ku thuhet se dy avionë bombardues strategjikë rusë të tipit Tu-160, të njohur prej forcave të NATO-s me emrin “Blackjacks”, u fotografuan në hapësirën ajrorë të Mbretërisë së Bashkuar mbi qiejt e disa ishujve skocezë në fillim të këtij muaji.

Imazhet janë kapur më datë 10 mars, në qiell të hapur prej forcave ajrore britanike të “Royal Air Force”.

“Nuk kemi të bëjmë me incidente të zakonshme. Shumë njerëz mund të mbeten të habitur nga lajmi se forcat tona ajrore kanë pikasur mbi 20 herë avionë rusë që nga fillimi i 2009-ës”, thuhet në një deklaratë të komandantit të skuadronit 111 të “Royal Air Force”, Mark Gorringe.

Reagimi rus ka ardhur i menjëhershëm. Në një deklaratë të lëshuar nga Moska, Ministri i Mbrojtjes Vladimir Drik nuk mohoi praninë e avionëve rusë në atë zonë, por ai mohoi kategorikisht shkeljen e hapësirës ajrorë britanike, duke thënë se avionët rusë fluturojnë mbi ujërat neutrale në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare.

“Avionët tanë fluturojnë në zbatim strikt të rregullave ndërkombëtare mbi ujërat neutrale, pa shkelur kufijtë e shteteve të tjera. Fluturimet e 10 marsit kanë qënë pikërisht sipas këtyre rregullave dhe për ta verifikuar këtë janë edhe aparaturat e kontrollit të mjeteve fluturuese”, tha Drik

FOTO GALERI
1/4
Imazhe të avionëve bombardues Tu-160

Top Channel