Izraeli nuk ndryshon politikë për kolonitë

26/03/2010 11:05

Kryeministri izraelit ka deklaruar se politika e tij mbi Jeruzalemin nuk do të ndryshojë, duke bërë që mosmarrëveshja me SHBA mbi ndërtimet të vazhdojë.

Deklarata e Benjamin Netanyahut erdhi para raportimit në kabinetin e tij për bisedimet e zhvilluara me presidentin amerikan Barack Obama.

Nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara nuk e kanë komentuar vendimin. Në qendër të cështjes mbetet plani i Izraelit për të ndërtuar 1600 shtëpi në Jeruzalemin Lindor.

Palestinezët e duan këtë territor si kryeqytetin e tyre dhe deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në negociatat për paqen, që do të ndërmjetësohen nga SHBA.

Ndërsa Izraeli insiston se Jeruzalemi do të mbetet një kryeqytet i pandashëm. Rreth gjysmë milion hebrej jetojnë në mbi 100 koloni të ngritura që kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor në 1967-ën.

Top Channel