Banka e Shqipërisë nuk e ndryshon interesin

25/03/2010 08:55

Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar interesin referencë për lekun dje, duke paralajmëruar se pret të shohë ecurinë e inflacionit para se të veprojë në këtë drejtim.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se “vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin”.

Banka e Shqipërisë ritheksoi se sipas mendimit të saj, rritja e inflacionit gjatë muajve janar dhe shkurt, është një fenomen kalimtar.

“Aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit”, u shpreh Fullani.

Interesi bazë Repo në Shqipëri përcakton interesin me të cilin bankat e nivelit të dytë marrin hua apo vendosin depozita te Banka Qendrore.

Duke qenë se Banka Qendrore është operatori më i madh bankar në vend, ky interes ndikon indirekt edhe interesat e kredive e depozitave në lekë, si dhe interesat e borxhit të qeverisë.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit në 4.4 për qind në muajin shkurt, si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave të importuara, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, zhvlerësimit të lekut dhe politikës fiskale të qeverisë që po mban referenca doganore artificialisht të larta.

Top Channel