Konfindustria kundër qeverisë për TVSH-në

22/03/2010 08:15

Shoqata e biznesit Konfindustria kërkoi dje që qeveria të punojë më shumë për të ndalur largimin e biznesit të vogël nga skema e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke shpjeguar se sipas të dhënave të saj, shumë biznese të vogla po shpallin falimentin dhe po regjistrohen nën një emër të ri.

“Të dhënat e deritashme të ardhura pranë Konfindustrisë tregojnë se po ndeshemi me dukurinë e vetëmbylljes dhe/ose shkuarjen drejt falimentit të qëllimshëm të mijëra subjekteve tregtare/biznes i vogël në shkallë vendi, më qëllim vazhdimin e punës si subjekte të reja “biznes i vogël” të pakontrolluara më parë nga institucionet fiskale nën pragun e ri të Tatimit të Vlerës së Shtuar (TVSH) prej 5 milionë lekësh të ardhura vjetore”, deklaroi administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.

Disa organizata biznesi, por mbi të gjitha, pronarët e rrjeteve të supermarketeve, lobuan pranë qeverisë vitin e kaluar për uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël, duke pretenduar se dyqanet ushqimore po i konkurronin pa të drejtë, pasi veprojnë në të njëjtin segment tregu, por nuk i nënshtrohen TVSH-së mbi çmimin final siç i nënshtrohen rrjetet e supermarketeve.

Qeveria vendosi uljen e pragut të TVSH-së nga 1 janari i këtij viti, gjë që do të thotë se çdo dyqan që kryen shitje vjetore më të mëdha se 5 milionë lekë në vit, duhet të hyjë në skemën e biznesit të madh. Më parë, pragu ishte për xhiron mbi 8 milionë lekë në vit dhe vazhdimisht qe kërkuar që ky prag të rritej. Ulja e pragut të TVSH-së nuk është se sjell ngarkesë shumë të lartë fiskale për biznesin e vogël, por rrit koston e administrimit të taksave, si dhe e bën biznesin e vogël një aktivitet thuajse shkencor.

Top Channel