Harasani: LMN ka propozimet për ndryshime në statut

19/03/2010 08:35

Lajmet rreth tërheqjes së Lëvizjes për Mendimin Ndryshe nga puna për ndryshimet në statut janë vetëm spekulime.

Përfaqësuesi i saj, deputeti socialist Andis Harasani, deklaroi për gazetën “Shqip” se propozimet e sugjeruara nga ekipi i LMN-së janë dorëzuar zyrtarisht përpara disa muajve.

“Është tërësisht një gënjeshtër. Ne i kemi dorëzuar propozimet tona që në muajin gusht dhe presim që grupi i punës të na thërrasë për të diskutuar mbi to”, u shpreh Harasani.

Ai ka përgënjeshtruar kështu lajmin e publikuar dje, sipas të cilit, drafti i ri i ndryshimeve statutore nuk do të përfshijë propozimet alternative të LMN-së, për shkak të tërheqjes së kësaj të fundit.

Spekulimi mediatik i ngritur rreth kësaj çështjeje risjell në vëmendje debatin politik të brendshëm në Partinë Socialiste, duke evidentuar përmes diskutimeve me karakter teknik probleme të funksionimit të demokracisë së brendshme në selinë rozë.

Top Channel