UK, mocion për gjuhën shqipe

17/03/2010 21:55

Një grup parlamentarësh britanikë kanë inicuar nisjen e firmosjes së një mocioni që gjuha shqipe të përfshihet në provimet e lirimit që njihen si GCSE.

Në tekstin e mocionit deputetët laburistë dhe konservatorë i kërkojnë Ministrisë së Arsimit të marrë në konsideratë me kujdes kërkesën e tyre, për përfshirjen e gjuhës shqipe në skemën aktuale të gjuhëve të huaja në provimin GCSE.

Nisja e firmosjes së këtij mocioni vjen pas shumë përpjekjeve të shoqatave shqiptare në Britaninë e Madhe, të cilat në fokusin e punës së tyre kanë mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve.

Rol parësor në cuarjen e kësaj cështjeje deri në Parlamentin britanik ka luajtur edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Zef Mazi, i cili ka patur kontakte intensive me depuetët britanikë.

“Jam i gëzuar që kjo punë intensive e bërë nga Forumi i shoqatave shqiptare, për këtë cështje kurorëzohet me kalimin e këtij mocioni në Parlament. Është një hap i rëndësishëm për komunitetin shqiptar pasi tregon se ata kanë mbështetjen e vendimmarrësve britanikë për këtë cështje”, ka thënë ambasadori Mazi.

Lutfi Vaka, kryetar i Forumit të Shoqatave Shqiptare në Britani e cilësoi nisjen e firmosjes së mocionit si një fitore për emigrantët shqiptarë dhe mbi të gjitha një fitore për fëmijët e tyre.

Vitin e shkuar 564 persona, mes tyre edhe britanikë, firmosën një peticion të inicuar nga “Shpresa Programe” po per këtë cështje që iu dërgua kryeministrit Gordon Brown.

Top Channel