Energjia, OSSH sulmon ERE-n

17/12/2009 19:45

Pronaret ceke te Operatorit te Sistemit te Shperndarjes kane reaguar me force ndaj vendimit te Entit Rregullator per rritjen e cmimit te energjise, qe sipas tyre per kompanine e shperndarjes eshte minimale.

Ne nje deklarate te ashper per shtyp, kreret e OSSH thone se vendimi i entit mund ta coje kompanine e shperndarjes ne kolaps financiar.

“OSSH-ja do te vazhdoje te kete nje rritje te larte te borxhit prej 20 miliarde lekesh ne vitin 2009 kundrejt partnereve te jashtem, duke e cuar ne nivelin e 25.8 miliarde lekeve. Kjo ne menyre te pashmangshme do te conte ne kolaps financiar dhe me pas ne falimentim te OSSH-se”, thuhet ne deklarate.

Me tej OSSH akuzon Entin se beri rritje te pabalancuar te cmimit duke favorizuar dy kompanite shteterore KESH dhe OST, cka sipas cekeve eshte nje sulm i hapur ndaj investimeve te huaja ne vend.

“Ne e kuptojme qe te gjitha palet ne sektorin e energjise ne Shqiperi kane nevoje per fonde per punet e tyre, mirembajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-s per rritjen dramatike ne favor te KESH-it (26%) dhe OST-se (20%) dhe rritjen shume te vogel per OSSH-ne (7.1%) ne e gjejme te pabalancuar. Ne e shohim kete si nje sulm kunder investitoreve te huaj ne vend, gje qe eshte krejtesisht e papranueshme”, thekson OSSH.

Ne fund te deklarates pronaret ceke te OSSH kercenojne se do te perdorin te gjitha hapat e mundshem ligjore per te mbrojtur interesat e konsumatoreve te OSSH-se dhe aksionereve te vete, duke ndermarre hapa ligjore brenda vendit dhe jashte vendit, si dhe perdorimin e garancise se dhene nga Banka Boterore.

Top Channel