Qeveria “legalizon” asetet e fshehura

07/12/2009 08:00

Drite jeshile per parate “gri”. Te ardhurat e krijuara nga donacionet, puna ne emigrim ose te padeklaruara me pare, mund te futen ne bilanc me kushtin e tatimit me 10 per qind.

Ajo qe biznesi kishte kerkuar me kohe, duket se qeveria po e pranon, por me nje forme me te bute. Projektligji eshte pergatitur nga eksperte te Ministrise se Financave dhe u eshte derguar per mendim ministrive te linjes, perfshi edhe asaj te Ekonomise.

Miratimi i variantit te ndryshuar “Per tatimin mbi te ardhurat” pritet te procedohet shume shpejt ne qeveri, pasi prek edhe skemen e uljes se pragut te Tatimit mbi Vleren e Shtuar, nga 8 ne 5 milione leke ne vit. Ekspertet e ekonomise, duke mos dashur te nxitohen, shprehen paraprakisht se, ligji i ri jep shenjet e nje amnistie te vertete fiskale, te kerkuar me aq ngulm nga anetaret e Dhomes se Tregtise dhe Industrise, Tirane.

Drafti eshte pergatitur ne nje kohe kur Parlamenti votoi ligjin “Antimafie”, i cili ka ne thelb luften ndaj krimit ekonomik. Gazeta “Shqip” disponon te plote permbajtjen e projektligjit, duke paraqitur edhe relacionin shpjegues te tij, i ndare ne tri pika.
Nuk mund te flasim ende per amnisti te parave te krijuara nga aktivitete te jashteligjshme, por te pakten varianti i ri i projektligjit mundeson rruge te lire per te futur ne qarkullim te ardhura, qe deri dje nuk ishin deklaruar nga biznesi. Ne nenin 8 te projektligjit, “E ardhura e tatueshme”, eshte shtuar edhe nje burim tjeter taksimi, ai i te ardhurave jashte aktivitetit privat.

“Ndryshimi percakton nje kategori te re te te ardhurave te tatueshme dhe konkretisht: te ardhurat ne forme monetare per shtimin e kapitalit me burime jashte shoqerise, qe nuk jane te shoqeruara me dokumente zyrtare qe vertetojne origjinen e ketyre te ardhurave”, shpjegon Ministria e Financave. Sipas saj, gjate zbatimit ne praktike te ketij neni nga administrata tatimore jane evidentuar nje sere rastesh ku kompani te ndryshme shtojne kapitalin e tyre me te ardhura te tjera monetare, pa deklaruar origjinen e burimit te tyre.

Ne kushtet e qarkullimit te madh monetar, te padeklaruar me pare, ministria planifikon te vjele te ardhura. Mjafton qe biznesi t’i paraqese shtesat ne bilanc, duke i argumentuar si donacione apo te ardhura nga emigrimi dhe te afermit e qeveria mund t’i taksoje me 10 per qind. I kontaktuar me telefon, eksperti i ekonomise dhe i bilanceve, Agim Binaj, thote paraprakisht se, “ky veprim konsiderohet pozitiv per biznesin. Me aq sa me komunikon mund te them se planifikohet taksimi i te ardhurave qe krijohen nga forma te ndryshme, kryesisht dhurata, pa i hyre ne detaje se si jane siguruar”. Nje tjeter ekspert i njohur ne fushen e kontabilitetit, Sherif Bundo, thote se “projektligji u jep mundesi te dyja paleve te rrisin te ardhurat dhe aktivitetin, duke u mjaftuar me respektimin e ligjit, transparenca dhe deklarimi i burimit”.

Sipas Binajt dhe Bundos, ndryshimet ne “Tatimin mbi te ardhurat” mund te konsiderohen shenja te zbutura te legalizimit te aseteve, nje lloj tjeter amnistie, por megjithate, nevojitet kujdes gjate zbatimit. Nderkaq, Ministria e Financave sqaron se, “te ardhurat nga burime te ndryshme te patatuara nepermjet ketij filtri do te taksohen nga organi tatimor. “Kjo do te realizohet edhe nga mosdeklarimi i tyre nga ana e individeve qe investojne kapitale ne shoqeri”, thekson ministria. Megjithate, pavaresisht sqarimeve, ende mbeten te paqarta objekti dhe qellimi konkret i projektligjit, duke krijuar hapesira per interpretime nga me te ndryshmet.  

Top Channel