Zgjedhjet, Berisha fryn administraten

08/06/2009 08:00

Qeveria Shqiptare ka marre nje vendim me 22 prill, me ane te se cilit u ka mundesuar disa ministrive te shtojne numrin e te punesuarve per vitin 2009.

Megjithese vendimi eshte marre ne prill, efektet e tij financiare fillojne qe nga 1 janari, gje qe do te thote se, siç ndodh zakonisht ne Shqiperi, vendimi ka legalizuar vendet e punes te hapura qe me pare. Pa dhene sqarime dhe duke fshehur situaten reale, qeveria hapi 748 vende pune ne kater ministri te rendesishme, duke shtuar dozen e perdorimit te buxhetit te shtetit per qellime elektorale.

Pergjate dy dekadave te fundit, Shqiperia ka qene ne procesin e shkurtimit te vendeve te punes ne administraten publike, sipas keshillave te nderkombetareve per perdorim me efikas te parave te taksapaguesve.

Vete Kryeministri Berisha pati premtuar “qeverine e dietes” kur erdhi ne pushtet. Por statistikat e INSTAT paraqesin nje situate ndryshe. Te punesuarit ne sektorin publik, ku perfshihet administrata dhe kompanite nen pronesi publike, jane ulur nga 176 mije vete ne 2004-en, ne 166 mije vete ne 2008-en.

Por kjo ulje ka ardhur si pasoje e privatizimeve. Administrata publike me vete thjesht sa ka shtuar radhet. Nga 113 mije vete qe merrnin page nga taksapaguesit ne vitin 2004, sot jane rreth 130 mije te tille. Te punesuarit e klasifikuar si “specialiste” jane shtuar me shume se te tjeret.  

Ministrite e shtuara

Ministria e Ekonomise, Tregtise dhe Energjetikes ka gezuar 266 rrogetare te rinj, pasuar nga Ministria e Drejtesise, e cila ka shtuar rrogetaret me 233 vete.

Qe nga viti 2007, stafet e ketyre ministrive pothuajse jane dyfishuar. Ne vitin 2006, Ministria e Drejtesise kishte vetem 2700 te punesuar, ndersa Ministria e Ekonomise numeronte 450 vete. Kete vit do te kene perkatesisht 5027 dhe 774 te punesuar.

Te rinjte e Ministrise se Drejtesise kane shkuar te zyrat e regjistrimit te pronave te paluajtshme. Qeveria ka shtuar 89 vete ne administraten e Ministrise se Bujqesise. Te punesuarit e rinj do te merren te gjithe me te ashtuquajturen “Agjencia e Pagesave”, nje institucion qe synon te shperndaje para te fermeret, por qe ne fakt ka krijuar nje vrime ku rrjedhin para dhe nafte pa akcize, qe zor se perfundon ndonjehere te fermeret.

Dhe ndersa eshte shtuar ndjeshem administrata qendrore, jane mbyllur vende pune per police dhe mesues, per te ribalancuar buxhetin.

Punesimet e shumta ne prag fushate bene qe gjate tremujorit te pare te ketij viti shpenzimet e buxhetit te shtetit per paga ta tejkalojne parashikimin, duke rritur deficitin.

Ne Shqiperi, kater ne dhjete te punesuar ne sektorin jobujqesor i perkasin administrates publike ose kompanive nen pronesi publike.

Kete vit, pagat e administrates publike do te kushtojne 452 milione euro, ose 18 per qind te shpenzimeve te buxhetit te shtetit.

Qeveria e sotme ka qene nen presion te vazhdueshem per te punesuar ne administrate mbeshtetesit e saj pas tete vitesh qendrimi ne opozite. Pushimet nga puna thjesht per te zene vendet e krijuara, numeroheshin ne disa mijera ne muajt e pare pas marrjes se pushtetit. Ndryshimi i administrates eshte nje fenomen i rendomte ne Shqiperi dhe shoqeron zakonisht ndryshimet e qeverive. 

Top Channel