Not në ujërat e akullta

15/10/2017 01:37

Sezonin e notit në ujërat e akullta të liqenit të Bajkalit, të apasionuarit pas tij e nisën me një festë çaji. Grupi i gati 30 entuziastëve mbërriti në zonë me veshje të ngrohta, por pastaj i hoqi palltot e trasha për t’u zhytur me guxim në ujin e ngrirë.

Gratë e vajzat në breg do t’ua çonin çajin në liqen.

“Tani notarët do të afrohen, ne do të heqim rrobat e trasha, do të dalim me rrobabanjoje e do të hyjmë në liqen. Çajin do t’ua çojmë atje me tabaka”, tha Olga Moskvitina, notare në ujë të ftohtë.

Çaji i nxehtë ishte trofeja që i priste në përfundimin e një kilometri të përshkuar me not në kushte të tilla ekstreme.

“Oh, një çaj i ngrohtë është gjë shumë e mirë. Sigurisht që mund t’ia dilnim edhe pa të, por kështu e gjithë situata bëhet më interesante”, tha Alexei Nikiforov, notar në ujë të ftohtë.

Në Rusi, noti në ujëra të ngrira shihet si mënyrë mjaft popullore për forcimin e shëndetit. Ky lloj noti mund të ketë disa të mira për organizmin. Ai përmirëson qarkullimin e gjakut, çliron endorfinën që ngre humorin, e mund të luftojë edhe depresionin.

Por mund të jetë njëkohësisht mjaft i rrezikshëm, ndaj eskpertët gjithmonë këshillojnë të përgatitet trupi përpara për shmangien e problemeve të tilla si tensioni i lartë i gjakut apo hipotermia.

Top Channel