Berisha përballë Shullazit; dëshmon Çako e Tahiri, Kule largohet

10/10/2017 00:00

Sali Berisha do të thirret si dëshmitar në gjyqin kundër Emiljano Shullazit, pas një kërkese të të pandehurit në çështjen e kërcënimit të Rektorit të universitetit, Mynyr Koni dhe paraardhësit të tij Dhori Kule.

“Emiljano Shullazi i kërkon profesor Mynyr Konit të tërhiqet nga gara ose do t’i rrëmbehet djali”, deklaronte Berisha para zgjedhjeve për Rektor në Universitetin e Tiranës. 

Rrëfimi i tre dëshmitarëve që treguan se janë informuar nga deklarata e ish-Kryeministrit Sali Berisha  për kërcënimin e kandidatit për Rektor Mynyr Koni ka sjellë reagimin e të akuzuarit Emiljano Shullazi.

I vetëm para gjykatës kësaj radhe, pasi katër të bashkëpandehur me të nuk u paraqitën, Emiljano Shullazi së bashku me mbrojtësin kërkuan të thirret ish-Kryeministri Berisha si dëshmitar.

39-vjeçari që akuzohet edhe për kërcënimin e Konit dhe Kules kërkon t’i thuhet Gjykatës së Krimeve të Rënda se kush e ka vendosur në dijeni ish-Kryeministrin për këtë ngjarje.

Gjykata e pranoi kërkesën edhe pasi më herët emri i ish-Kryeministrit u lakua edhe nga dëshmitari Saimri Tahiri, që u pyet për kohën kur ka mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm.

“E mësova kërcënimin e profesorëve nga një denoncim i Sali Berishës dhe nuk e kuptoj përse nuk e keni thirrur”, deklaroi Saimir Tahiri.

Saimir Tahiri nuk hoqi dorë edhe në gjykatë me akuzat e tij kundër Prokurorisë duke komentuar se kështu ndodh kur prokuroria është politike. Tahiri kujtoi se  dy profesorët i kishin folur me hamendje për kërcënuesit, ndërkohë që për këtë ngjarje mjaftonte denoncimi i Berishes dhe shqetësimi i dy profesorëve.

“Kërcënuesit i kishin thënë Mynyr Konit të tërhiqej nga gara ndryshe do ta pësonte”. Kështu ja kishte përshkruar ministrja e Arsimit Haki Çakos kanosjen e Mynyr Konit.

“Kush më identifikoi mua?”, e pyeti Emiljano Shullazi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Çako, i cili u përgjigj se emri i tij ishte përmendur nga deklaruesi Dhori Kule.

Ndonëse ishte i përpiktë në orar, profesori Dhori Kule nuk dëshmoi pasi u largua nga gjykata për arsye të pashpjegueshme familjare. Në gjykatë dëshmuan edhe profesorët Majlinda Keta, Shezai Rrokaj dhe Klodeta Dibra.

Top Channel