Kryeministrja e Serbisë është bërë kreu i parë i një qeverie në Ballkan, që merr pjesë në marshimin ‘Gay Pride’.

Ana Brnabiç, veçse femra e parë, është edhe personi i parë gay, që drejton Serbinë. Pjesëmarrja e Brnabiç në një marshim gay, është një mesazh mjaft i fortë, në një vend ku evenimente të tilla kanë krijuar probleme dhe jo gjithnjë janë zhvilluar.

7 vjet më parë, mbi 100 njerëz u plagosën, kur një grup protestuesish anti-gay sulmuan marshimin në Beograd. Për vite me radhë që atëherë, autoritetet nuk lejonim më marshime të tilla, deri në 2014-n, kur u deshën forcat speciale dhe makinat e blinduara për të garantuar sigurinë e marshimit ‘Gay Pride’.

Vetë Brnabiç është përpjekur ta largojë vëmendjen nga orientimi i saj seksual, duke thënë se kjo nuk ka rëndësi. Gjatë marshimit ajo deklaroi për reporterët se Serbia i respekton ndryshimet dhe tha se pjesëmarrja e saj tregon se qeveria serbe është këtu për të gjithë qytetarët e saj.

Shumë serbë ende kanë pikëpamje tradicionale në këtë drejtim, megjithëse këtë vit shumë pak njerëz protestuan ndaj marshimit me ikona ortodokse dhe flamuj rusë në dorë. Kryeministrja Brnabiç tha se Serbia ka bërë hapa të konsiderueshëm vitet e fundit, në zgjerimin e kufijve të lirisë.

Top Channel