Moda në Nju Jork, prezantohen krijimet më të mira

14/09/2017 00:00

Frymëzim i Marchesës për koleksionin e saj “Pranverë 2018” kanë qenë motivet japoneze. Veshjet ishin thuajse të gjitha të krijuara me copëra të lehta, e të zbukuruara me qëndisma në formë lulesh. Nuk mungonin as gurët e qepur në fustan, thakët e përdorur hijshëm, apo frundat e bollshme.

Stilistet Keren Craig dhe Georgina Chapman e mahnitën sallën me sharmin e krijimeve të tyre, të fokusuara – siç shpjegojnë edhe vet, –  te një grua e quajtur Aimee Crocker, trashëgimtarja e pasur amerikane e fillimshekullit të XX-të, që u bë e famshme për eksplorimin kulturor të Lindjes së Largët.

Çelja e luleve të qershisë, – një moment tejet i kremtuar në kulturën japoneze, – mëngët tipike të mantelit “kimono” dhe fashat e trasha të lidhura në mes ishin elementë të sjellë prej së largu, duke u përpjekur njëkohësisht të ruhej besnikëria ndaj stilit romantik dhe tejet femëror, i kthyer tashmë në tiparin dallues të markës së njohur.

Nga jashtë vjen edhe frymëzimi i stilistit veteran, Marc Jacobs, i cili e kishte mbushur koleksionin e tij me elementë të veshjes së hershme në Lindjen e Mesme. Modelet e tij zbritën në pasarelë me çallma shumëngjyrëshe e veshje të mëdha dhe të derdhura.

Jacobs e nisi prezantimin me veshje që ngjasonin me ato të haremit dhe pantallona të gjera, për të dalë në fund te sandalet me gisht, ose rripa të zbukuruara me gurë vezullues. Spektakli i 54-vjeçarit, një ndër më të shumëpritur e shfaqjes, ishte ai që uli siparin e javës njujorkeze të modës.

Top Channel