“Cirku fluturues”, filmi me metrazh të gjatë me regji e skenar të Fatos Berishës, po nis rrugëtimin duke filluar audicionet në Tiranë, duke qenë se një pjesë e mirë e filmit do të xhirohet në Shqipëri.

Aktorët nuk kanë përgatitur apo mësuar ndonjë tekst paraprak më herët. Pjesa e tekstit i jepet me lexim gjatë audicionit.

Aktorët janë lajmëruar më herët për orarin e audicionit.

“Cirku fluturues” është një film i metrazhit të gjatë, i zhanrit komedi e zezë, e historia bart në vetvete edhe tonet e luftës.

“Është një komedi e zezë, sepse lëviz nga Kosova. Gjatë filmit, protagonistët kryesorë vijnë në Shqipëri, ku duhet të marrin pjesë në festivalin e teatrit”, tha Vjosa Berisha, producente.

Xhirimet priten të fillojnë herët në fillim të vitit tjetër, për ta përfunduar projektin e për ta shpërndarë në festivale më pas.

“Filmi pritet t’i fillojë xhirimet në mars të vitit 2018 dhe do të përfundojë diku nga fundi i vitit, kur pritet të fillojë edhe rrugëtimin nëpër festivale”, tha më tej Vjosa Berisha.

Filmi do të kushtojë 500 mijë euro dhe është një bashkëprodhim ballkanik, deri më tani me bashkëfinancim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Top Channel