“Thriller”-i i Michael Jackson u prezantua në Festivalin e Venecias në versionin 3D, gati 35 vite pasi publiku u njoh me videon muzikore që do të shndërrohej në një hit të jashtëzankoshëm.

Regjisori i saj, John Landis u tha gazetarëve se “Thriller”-i nuk ishte rrjedhojë e ndonjë ideje gjeniale, apo plani të shkëlqyeshëm biznesi. Michael, sipas tij thjesht donte të bëhej një përbindësh.

“Nisi pak si kotësi ajo punë, vetëm nga një dëshirë e Michael. Por gjërat pastaj evoluan deri në suksesin spektakolar të videos, që të them të drejtën edhe mua vet më la pa fjalë”, tha John Landis, regjisor.

I pyetur mbi takimin e tij të parë me Jacksonin, fëmija-mrekulli që u kthye në “mbretin e popit” e që vdiq papritur në vitin 2009 në moshën 50-vjeçare, Landis thotë se i bëri përshtypje fakti që ai ishte plot hare, paksa i pafajshëm dhe shumë shpejt u bënë miq të ngushtë.

“Michael ishte shumë i vendosur që të bëhej më e mira e mundshme në çdo gjë. Kur bashkëpunuam për ‘Thriller’-in, pashë se kishte një etikë të jashtëzakonshme dhe punonte vërtet shumë”, tha Landis.

Regjisorit amerikan, që është njëkohësisht edhe skenarist, aktor e producent, ideja e konvertimit të “Thriller”-it në 3D i lindi nga dëshira që publiku ta përjetojë videon ashtu siç Michael Jackson do të kishte dashur që ajo të mbërrinte te njerëzit.

“Gjithmonë kemi kërkuar që t’i ngjasonte një filmi”, sqaron ai. “Zhgënjimi im i vetëm, – vazhdon Landis, – është që Michael nuk është këtu për ta parë me sytë e tij, sepse jam i bindur që do t’i pëlqente shumë”.

Top Channel