Montella: Me Shkëndijën duhet kujdes

16/08/2017 00:00

Milani i këtij sezoni është një skuadër e rinovuar totalisht me shumë emra të rinj falë milionave që kanë shpenzuar në merkato pronarët e rinj kinezë të klubit, të cilët kanë një objektiv të vetëm të rikthejnë Milanin në majat e futbollit italian dhe atij europian.

Por edhe pse bëhet fjalë për një sfidë mes një emri të madh dhe një skuadre që luan për herë të dytë në play-offin e Europa League dhe për herë të parë të një sfidë të këtyre përmasave, trajneri i Milanit Vincenzo Montella nuk i zë aspak besë Shkëndijës, duke e vlerësuar maksimalisht skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas.

“Çfarë vështirësish do të hasim ndaj Shkëndijës? Ata kanë luajtur më shumë ndeshje zyrtare se ne dhe kanë kaluar tre raunde për të mbërritur deri këtu. Në ndeshjen e fundit kanë mundur kampionët në fuqi të Maqedonisë dhe janë një formë të shkëlqyer. Kanë futbollist me talent në repartin e avancuar dhe janë të paparashikueshëm. Shkëndija është  një skuadër europiane shumë e përgatitur taktikisht. Megjithatë gjithçka varet vetëm nga ne. Ata janë të përgatitur, por ne duhet të mendojmë vetëm për paraqitjen tonë. Nuk jam dakord që çështja e kualifikimit duhet të zgjidhet që në ndeshjen e parë. Se cila skuadër do të avancojë më tej do të vendoset në sfidën e kthimit, në Europë duhet të luash me shumë kujdes”,shprehet Montella.

Përsa i përket formacionit Montella zbuloi se më shumë gjasa në sulm do të luajë Andre Silva, ndërkohë që foli me superlativa edhe për të riun Cutrone. Trajneri i hapi dyert e kuqezinjve bomberit kroat Nikola Kalinic i cili mund të jetë goditja e Milanit në sulm.

“Andre Silva kërkon të vihet menjëherë në evidencë por ja kam bërë të qartë se duhet t’i marrë gjërat me qetësi, ka cilësi të jashtëzakonshme dhe jam i sigurt se do të ketë një ardhme të ndritur te Milani. Cutrone është në një formë të jashtëzakonshme dhe duhet të dijë t’i menaxhojë siç duhet forcat. Kush do të luajë në sulm? Dua që Andre Silva të luajë sepse kështu mund të përshtatet dhe të fitojë besimin e publikut, por mund të luajnë edhe të dy pra Silva dhe Cutrone. Kaliniç? Nuk e di nëse do të vijë për është një futbollist funksional për lojën e Milanit”, tha Montella.

Ndaj Shkëndijës Milani do të ketë dy mungesa të rëndësishme mesfushorin Lucas Biglia dhe mbrojtësin Alesio Romagnoli.

Top Channel