Fluks yjesh te PSG, 9 lojtarë në sulm

05/08/2017 00:00

Kur studiohet dhe konkretizohet një operacion si ai i Neymar, askush nuk i merr mendim trajnerit dhe në rastin e Paris Sën Zhermen ishte pikërisht kështu. Unai Emeri ishte nj spektator entuziast në transferimin më të bujshëm të futbollit por tani do të jetë pikërisht ai që mes një fluksi yjesh në skuadër, të gjejë nga pak vend për të gjithë.

Braziliani ishte i blinduar në të majtë në repartin ofensiv të Barcelonës, por tani në “Parkun e Princërve” mund të spostohet në qendër. Sidoqoftë vendosja taktike është problemi më i fundit që lidhet me numrin e 10 të parizienëve. Trajneri Unai Emeri ka një bateri ofensive unike në ligat europiane, por nuk mund t’i aktivizojë dot të gjithë, madje duhet të gjejë një modul që sjell ekuilibër dhe rezultate.

Aktualisht Paris Sën Zhermen numëron 9 futbollistë në repartin ofensiv. Kavani, Draksler, Di Maria, Pastore, Lukas Moura, Jese, Bahebek, Ben Arfa, dhe ai që do të ketë një vend të sigurt, braziliani Neymar. Të gjithë këta futbollistë janë blerë një mal me miliona, por disa prej tyre do të sakrifikohen për shumë më pak, brenda muajit gusht.

Që kur është në duart e sheikëve nga Katari, klubi parizien asnjëherë nuk ka shkuar përtej çerekfinaleve në Champions League, por tashmë pa hijen e Mesit mbi shpinë, Neymar duhet të nisë të paguajë në fushë vlerën e tij, jo vetëm përmes shitjes së fanelave.

Top Channel