Milani pret Europën, jashtë Bacca, Calhanoglu, Bonucci

26/07/2017 00:00

Vigjilja e rikthimit të Milanit në kupat europiane mbetet disi speciale jo vetëm për tifozët kuqezi, por gjithashtu për ata që janë befasuar nga merkatoja e fuqishme e skuadrës kuqezi. Është vetëm faza paraeliminatore e Europa Ligës, por për ndeshjen në stadiumin e Krajovës, trajneri Montella ka rezervuar jo pak surpriza.

Bonucci dhe Biglia, ashtu siç pritej, nuk do të jenë forcë në fushë për shkak të praktikave të UEFA-s, por janë lënë jashtë Calhanoglu, Suso dhe Bacca. Ky i fundit nuk figuron mes lojtarëve të Milan për sfidën kontinentale pasi kolumbiani pritet të shitet në një ekip tjetër. Klubet e interesuara, do të hiqnin dorë nëse sulmuesi latin do të ishte aktivizuar më parë në Europë dhe kështu Bacca do ta shohë Milanin nga ekrani i vogël.

Diskutim i njëjtë edhe për Paleta e Suso, të tjerë futbollistë që pritej të ishin mes të besuarve të trajnerit Montella. Por në sfidën ndaj rumunëve, do të jenë përforcimet e kësaj merkatoje verore, Conti, Kessie, Rodriguez, Musacchio, Borini dhe Andre Silva.

Top Channel