Futboll apo politikë! Katari vuan edhe “lojën” pa top

16/07/2017 00:00

Zhvillimi i Botërorit të futbollit në Katar u kthye në një temë të nxehtë diskutimi që prej fitores së kandidaturës kontroverse që e pasuan skandalet korruptive, abuzimet me punëtorët e projekteve dhe kushtet e turneut. Por tashmë saga e Katarit pasurohet edhe me një kapitull të ri, një luftë politike që ndoshta ka të bëjë pak me topin.

6 vendet arabe që muajin e kaluar shkëputën të gjitha marrëdhëniet me Katarin, i kërkuan FIFA-s t’i hiqte të drejtën vendit aziatik për të organizuar botërorin e 2022. Sipas tyre, futbolli nuk mund të presë elitën e tij në një vend që është bazë për terrorizmin.

Arabia Saudite, Jemeni, Emiratet Arabe, Bahreini, Egjipti dhe Mauritania u bazuan në nenin 85 të statutit të FIFA-s për të kërkuar largimin e Botërorit, në raste emergjente. Letra nuk është bërë ende publike, por Katari pranoi se vendet e Gjirit janë angazhuar fuqishëm për të dëmtuar monarkinë.

Katari, një vend me histori dhe infrastrukturë të varfër futbollistike, ishte fituesi kontrovers i garës për Botërorin 2022. Ky turne për herë të parë do mbahet në dimër, për të minimizuar impaktin e fortë që ka nxehtësia e shkretëtirës.

Top Channel