Notat e skepticizmit përpara Samitit të Triestes nuk munguan në shtypin gjerman. Por në përfundim të konferencës, mediet atje japin vlerësime pozitive.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” nuk sheh momentalisht të burojë ndonjë rrezik real nga Ballkani, megjithatë në Europën Juglindore, – vëren gazeta prestigjioze, – janë rritur tensionet, prandaj është e një rëndësie kyçe, që blloku të mos e harrojë rajonin.

“Europa e përjetoi një herë në vitet ’90 krizën e refugjatëve që erdhën nga Ballkani”, kujton “FAZ”.

Një rrezik që kjo situatë të përsëritet, aktualisht nuk ekziston. Por temperatura politike është rritur sërish në juglindjen e kontinentit të vjetër. “Nëse mund të flasësh sot për një transformim politik, atëherë ai nuk merr drejtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, por atë të autoritarizmit dhe nepotizmit”, thotë e përditshmja gjermane.

Në sfondin e stanjacionit ekonomik dhe social, elitat e korruptuara politike po përdorin gjithmonë e më hapur retorikën nacionaliste. “Prandaj është koha e duhur që BE-ja të merret me rajonin, edhe përtej samiteve të tilla si ai i Ballkanit Perëndimor, që po ashtu janë të rëndësishme”, vazhdon “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ndërsa “Süddeutsche Zeitung” i mëshon bashkëpunimit ekonomik mes shteteve ballkanike. Analiza e saj është se, një strategji e tillë duhet parë si përgatitje për tregun e përbashkët të brendshëm europian.

“Komisioneri Hahn e sheh si pengesë fragmentimin e rajonit”, shkruan ajo. “Tregtia e Ballkanit me BE-në në 10 vitet e shkuara është dyfishuar në një shifër 44 miliardë euro në vit, ndërkohë që ajo mes vendeve ballkanike qëndron në vend”.

Potenciali dhe mundësitë nuk mungojnë, ndaj bashkëpunimi shihet si domosdoshmëri për uljen e tensioneve të së shkuarës dhe ato aktuale.

Top Channel