Barça nis përgatitjet për sezonin e ri me Valverden trajner

13/07/2017 00:00

Barcelona nis zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, nën drejtimin e trajnerit të ri të saj Ernesto Valverde.

Një pjesë e mirë e futbollistëve të skuadrës katalanase kanë mbërritur tashmë në kryeqendrën e Katalunjës, për të kryer fillimisht vizitat mjekësore, e për të nisur më pas stërvitjen.

Në qendrën sportive të Barcelonës ishin të pranishëm edhe Luis Suarez, Ivan Rakitiç e Javier Mascherano, ndërkohë që shumë shpejt pritet të vijnë edhe Arda Turan, Gerard Pique, Neymar dhe Messi.

Këta të fundit ndodhen aktualisht në Japoni për një shfaqje promovuese të organizuar nga kompania “Rakuten”, që do të jetë sponsori i ri i Barcelonës.

Klubi katalanas ka nënshkruar me “Rakuten” një kontratë sponsorizimi 4-vjeçare, për një shifër prej 55 milionë eurosh në vit, së cilës mund t’i shtohen edhe bonuse të tjera.

Mësohet se Barcelona do të fitojë nga kjo kontratë, 1.5 milionë euro të tjerë për çdo fitore të titullit kampion të Spanjës në La Liga, e 5 milionë euro të tjerë për çdo triumf në Champions League. Kontrata mes Barcelonës dhe “Rakuten” ka një opsion për rinovimin e saj edhe për një sezon tjetër.

Top Channel