Incidenti Vettel-Hamilton, Button: Gjermani e pagoi gabimin

29/06/2017 00:00

Incidenti mes Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton, gjatë garës së Azerbajxhanit në Formulën 1, vazhdon të jetë temë diskutimi në ambientet e këtij kampionati.

Tashmë, ai që dha mendimin e tij në lidhje me këtë çështje ishte Jenson Button, i cili tha se do të jetë më mirë që e gjithë kjo histori të mbyllet njëherë e mirë.

“Gara e Azerbajxhanit ishte e bukur për t’u ndjekur, – tha Button në rrjetin social Twitter. – Kjo, sepse adrenalina dhe emocionet ishin në nivelin më të lartë. Ajo që bëri Vettel ishte një budallallëk, por ai u ndëshkua. Është më mirë që të shohim përpara tani”.

Ndërkohë, një ditë më parë FIA bëri të ditur se shumë shpejt do të rishqyrtojë atë çfarë ndodhi mes pilotit të Ferrarit dhe Hamiltonit, për të parë nëse ka vend për të ndërmarrë masa të tjera disiplinore në drejtim të gjermanit, që gjatë garës u dënua me qëndrim në bokse për 10 sekonda.

Top Channel