Çështja “Donnarumma”, Raiola: E kërcënuan me vdekje

19/06/2017 00:00

Gianluigi Donnarumma është kthyer në një çështje te Milani. Portieri 18-vjeçar refuzoi të rinovojë kontratën me Milanin, duke krijuar një situatë të pakëndshme në ambientin kuqezi.

Agjenti i futbollistit, Mino Raiola ka folur për gjithçka ka ndodhur këto ditë me portierin e talentuar, duke thënë se 18-vjeçari dhe familja e tij janë kërcënuar deri edhe me vdekje.

“U krijua një situatë armiqësore dhe e dhunshme, nga e cila Donnarumma e kishte të pamundur të dilte. Gigio u kërcënua, familja e tij u kërcënua, ishin kërcënime për mosaktivizim e deri me vdekje. U shfaqën pankarta, të cilat klubi nuk mori mundimin t’i hiqte, duke treguar një sjellje pasive ndaj tij. Nuk ka qenë asnjëherë çështje ekonomike, nëse dy palët e duan një zgjidhje arrijnë ta gjejnë atë”, tha Raiola.

Ndërkohë, tifozët vazhdojnë të shfryjnë kundër Donnarummës dhe kjo u duk edhe në ndeshjen e kampionatit europian të 21-vjeçarëve mes Italisë dhe Danimarkës.

Në minutën e 35-të, ndeshja u ndërpre nga arbitri, pasi një grup personash hodhën në portën e mbrojtur nga Donnarumma kartëmonedha false, si për t’i thënë që është një mercenar. Një veprim ky që duket se nuk e turbulloi shumë Donnarummën, ndërkohë që ndeshja rifilloi pasi u hoqën kartëmonedhat, me “të kaltrit” që fituan 2-0 falë golave të Pellegrinit dhe Petagnës.

Top Channel