Fushata 2017, kandidatët takime me elektoratin

17/06/2017 00:00

Saimir Tahiri e cilësoi votën për Partinë Demokratike një investim pa vlerë për 4 vitet e ardhshme.

“Shpjegojani që vota për PD nuk të vlen me asgjë, është investim me vlerë zero. Sot nuk na duhet më që të votojmë për flamujt e partive. Sot nuk duhet të votosh më me tifozllëk. Sot nuk i duhet më një njeriu që të shkojë qorrazi pas një partie. Sot shqiptarët duhet të votojnë për hallet e tyre dhe për ata që do të punojnë për t’ua zgjidhur këto halle. Sot duhet të votojnë shqiptari për shqiptarin dhe të gjithë bashkë për Shqipërinë”, tha Tahiri.

Sipas Fatmir Mediut, pushteti në republikën e re do të jetë e kundërta e atij që Rama dhe Meta u treguan shqiptarëve në 4 vitet e fundit.

“Një pushtet që kërkon Rama dhe Meta që do të thotë pushteti, paraja, duhet të jenë në dorën e tyre, dhe të bëjnë çtë duan ata me ato para. Ndërkohë ka edhe një marrëdhënie tjetër, që kërkon republika e re, ku pushteti të dalë nga njerezit që kontrollojnë qeverine dhe Parlamentin dhe ju të diktoni ku duhet të shkoje paraja”, u shpreh Mediu.

Shpëtim Idrizi u premtoi të rinjve në Tiranë se PDIU me votën e tyre do të mbështesë arsimin cilesor dhe me standarde perëndimore.

“Vizioni ynë si PDIU për arsimin është që shkollimi të jetë formësim, të jetë edukim, duke i parë shkollat dhe universitetet, si komunitete të pashkëputura dhe të pranishme në jetën e nxënësve, në jetën e mësuesve, edukuesve dhe pedagogëve gjatë të gjithë ciklit të edukimit, duke filluar nga ai parashkollor deri tek ai universitar.

Flamur Noka akuzoi Partinë Socialiste se në 4 vite në Has nuk investoi para për komunitetin e kësaj zone, investimet e funidt sipas tij janë ato të PD.

“Na gjeni një investim të Rilindjes në Has, zero. Çdo investim në Has, çdo shkollë që është ndërtuar, çdo rrugë çdo ujësjellës, çdo qendër shëndetësore, ka vetë një sigël, PD se vetëm Partia Demokratike ka investuar dhe e ka zhvilluar Hasin”, tha Noka.

Ben Blushi gjatë fushatës me banorët e Ali Demit në Tiranë, reagoi për deklaratat e kreut të qeverisë Edi Rama ndaj policisë për mbledhjen e votave. Këto deklarata sipas tij tregojnë se çfarë do tu ofrojë Rama shqiptarëve pas 25 qershorit.

“Tani u thotë pasi mbollët kanabis për 4 vjet dhe pasi më mbrojtët mua nga shqiptarët për 4 vjet, dilni dhe mblidhni vota për mua. Kjo është deklarata më negative dhe më famëkeqe në historinë e 27 vjetëve çka tregon se sa i dëshpëruar është ky njeri, sa i pashpresë, sa i deformuar por jo vetëm kaq. Kjo tregon edhe se çfarë vendi do të na ofrojë Edi Rama pas 25 qershorit”, tha Blushi.

Taulant Balla, kërkoi votën në Elbasan, që Partia Socialiste të drejtojë edhe Bashkinë edhe qeverinë në mënyrë që projektet për qytetin të ecin përpara. Balla kërkoi që votat të mos shkojne tek partitë e vogla.

“Mos e investoni për partitë e vogla sepse ata janë këtu për hallet e vetë dhe jo për hallet e popullit. Unë dhe kolegët e mi duam t’ju themi se ne në këtë lagje kemi plot projekte për të bërë. Ai që kemi parë deri tani është vetëm fillimi. Nuk keni parë gjë akoma se çfarë punësh të mira mund të bëjmë së bashku në të gjithë Elbasanin. Kjo që shikoni është fusha që dikur quhej fusha e plehrave dhe sot është një nga lulishtet më të bukura të Elbasanit”, tha Balla.

Top Channel