Vlerësim për Guardiola, Laporta premton “City” të fortë

17/06/2017 00:00

Tifozët e Manchester City duhet të jenë të lumtur që kanë një trajner si Pep Guardiola në stol, pasi do ta bëjë skuadrën shumë konkurruese kur të kompletojë planin në merkato. Kjo ishte sinteza e Joan Laporta, avokatit të njohur, ish president të Barcelonës që i njeh mirë cilësitë e teknikut katalanas.

Laporta emëroi Guardiolën në pankinën e Barcës në vitin 2008 në një vendim të guximshëm, bast që u fitua gjykuar nga suksesi i spanjollit. Edhe pse me Manchester City ai e mbylli kampionatin anglez këtë sezon në vendin e tretë, për Pep, optimizmi është i dukshëm.

“Nëse City do ta mbështesë ashtu sic duhet në merkato atëherë shpejt ai do të fitojë trofe. Guardiola është një trajner optimist, fitues dhe shumë i zoti. Nuk do të fshihet pas asgjëje, por kërkon të ndërtojë një skuadër dominuese në Manchester”, tha Joan Laporta.

“Nuk i di saktësisht lëvizjet e tyre në merkato, por Guardiola dhe drejtori Begirishtain janë të aftë të formojnë një skuadër që do entuziazmojë tifozët”, tha avokati që lobon për pavarësinë e Katalonjës.

Top Channel