“A Bola”: Ronaldo kërkon largimin nga Reali

16/06/2017 00:00

Media portugeze trondit tifozët e Realit të Madridit. Cristiano Ronakldo ka kërkuar largimin nga klubi merenges.

Është e përditshmja “A Bola” që e publikoi këtë lajm të bujshëm me titullin: Cristiano Ronaldo dëshiron largimin nga Spanja. Sipas kësaj të përdtishmeje, 32-vjeçari ua ka komunikuar drejtuesve të Realit të Madridit vendimin e parevokueshëm të tij. Shkaku kryesor që shtyu luzitanin të ndërmarrë këtë hap është hetimi ndaj tij për evazion fiskal.

Prokuroria e Madridit e ka paditur sumuesin për fshehje të 14.7 milionë eurove të siguruara nga të drejtat e imazhit për periudhën 2011-2014.

Por “A Bola” shkon edhe më tej. Kjo e përditshme këmbëngul se në drejtim të futbollistit kanë ardhur oferta prej 180 milionë eurosh, diçka për të cilën kjo e përditshme kishte folur edhe më parë. Në këtë moment, Manchester United dhe Paris Saint Germain janë të vetmet klube që mund të përballojnë një operacion në merkato që kap vlerën e 400 milionë eurove në total, ku përfshihen vlera e kartonit të lojtarit dhe paga në skuadrën e tij të re.

Reali i Madridit doli në mbështetje publike për Ronaldon ditët e fundit, por kjo duket se nuk ka mjaftuar. Sigurisht, drejtuesit e kampionëve të Evropës do të kërkojnë që të bindin Ronaldon të ndërrojë mendje, por kjo nuk do të thotë që nuk kanë menduar edhe për plan alternativ, 180 milionë euro është një shifër e konsiderueshme ndaj së cilës është e vështirë të tregohesh indiferent.

Top Channel